Si nisën zyrtarisht garat e notit në Shqipëri

Noti duket se është sporti që ka fillesat në fundin e dekadës së tretë të shekullit të kaluar, pikërisht në qytetin e Durrësit dhe kjo jo krejt pa shkak. Në fakt gara e notit mes djemve të qytetit njihen edhe shumë më para, kjo për faktin e thjeshtë se Durrësi ishte qyteti i ndërtuar në breg të detit, parametra të cilat i ka ruajtur mjaft mirë edhe sot, madje duhet pranuar fakti se falë edhe ndërtimeve të kohëve të fundit Durrësi padyshim që ka shtuar kontaktin fizik me detin. Por edhe pse garat zhvilloheshin në grupe apo edhe më gjerë, ku natyrisht kanë spikatur mjaft notarë të talentuar, kjo gjithsesi nuk ishte zyrtare dhe përveç kujtesës së ndonjë të moshuari notarët e tillë kanë mbetur anonim. Gara e parë e zhvilluar në qytetin e Durrësit që njihet edhe si gara e parë zyrtare të paktën deri tani është ajo e zhvilluar në vitin 1929, garë e cila mund të quhet si e parë për shkak të karakterit sportiv që mori ndërsa zhvillohej në qytetin e Durrësit. Skuadrat të cilat u vunë përballë natyrisht që nuk ishin profesioniste, por ata shënuan aktivitetin e parë që u ndoq nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh. Përballë u vu skuadra e “Djelmërisë durrsake“ me atë të “Dokerëve“, emërtim ky që ishte për punëtorët e ngarkim shkarkimit në portin e Durrësit. Garat i zhvilluan pikërisht në portin e Durrësit në pjesën lindore të tij. Këto gara u përsëritën edhe në vitin 1930, ku pjesëmarrja tashmë nuk ishte vetëm e dy ekipeve, por edhe me pjesëmarrjen nga qytete të tjera. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta ajo që ka arritur është lloji i garave të cilat janë zhvilluar ku duket se ndryshimi ka qenë vetëm në distancë pasi stili i notit ks qenë i njëjtë, ai që në gjuhën popullore njihet si “not pashi“.

Garat që u zhvilluan ishin 100 m, 200 m, 400 m dhe 1000 m. Në vitin 1931 garat u pasqyruan edhe në shtypin e asaj kohe dhe ajo që binte në sy ishte se numri i atyre që i ndiqnin ishte tepër i madh. Gazetat e kohës shkruanin se noti ishte sporti më i ndjekur në qytetin bregdetarë sa që filloi të merrte përmasat e një feste lokale ku ditët që zhvilloheshin garat dilnin pothuajse të gjithë banorët dhe festonin. Garat e para sportive u organizuan nga Enti Kombëtar “Djelmina Shqiptare“, por në fakt duhet pranuar se drejtues ishin të huajt dhe pikërisht profesorët Pelegati dhe Tomasini (të dy italianë) dhe koloneli anglez Hill.

Por kampionati i parë i zhvilluar në vendin tonë dhe pikërisht në Durrës është organizuar më 1933, pikërisht në muajin gusht. Edhe pse nuk mund të flitet për profesionalizëm që në fakt në vendet e tjera ishte arritur, ai shënoi fillimin e madh të një sporti që do të bëhet mjaft i dashur për durrsakët dhe banorët e qyteteve të tjera, por do të niste edhe krijimin e një tradite, e cila nëpër vite nxori edhe rekordmenë. Gazeta “Shekulli XX“, botimi i asaj kohe do të shkruante me shkronja të mëdha Ndërkohë që më pas shkruhej se askush nuk kishte pasur besim tek rezultatet e mira. “Kampionati bëhej vetëm si provë qorre, me fare pak shpresa për ndonjë rezultat të kënaqshëm. Por përfundimi i atij kampionati nxori në dritë më tepër se sa ëndërrohej. Vërtet numri i pjesëmarrësve qe i pakët, stili i notimit jo ai i profesionistëve dhe kohët e kryerjes së garave shumë më të mëdha se ato të Kampionëve të shteteve të tjera. Por nga ana tjetër u kuptuar se ndodheshin mjaft elementë të cilët me interesim dhe stërvitje të zellshme do të mund të perfeksionoheshin në gradë vërtetë të shqueme“.
Hape faqen

Shtypi do të shkruante lidhur me garat se tre orë para fillimit të tyre mblidhej një publik mjaft i madh. “Një publik jashtëzakonisht i shumtë i përbam prej Durrsakësh dhe pasionantësh të ardhun nargut nag qytete të tjera, kishte fillue të mbuloj të dyja anët e një Randi të fortë të ri ku do të zhvilloheshin gart. Pikërisht n’ora 4 e 15 arrijti N.S.Mbretnore Princesha Myzejem, Patronesh e naltë e Sportit e shoqnueme prej Naltisëve të Tyna Princeshave e Princave të tjerë, pastaj mblidheshin pr’anë edhe Shk.T.Ministri I Mbrendshëm, shumë Deputetë, Drejtori I Përgj.i Entit Komtar, autoritetet locale dhe shumë personalitete të Kryeqytetit”.

Para se të bëhej nisja pjestarët e ekipeve që do të zhvillonin garat parakalonin para vendit ku ishte vendosur Familja Mbretërore dhe më pas prisnin sinjalin e fillimit të garave. Në orën 4 e 30 minuta prof. Vitali qëllon me pistoletë në ajër duke dhënë kështu edhe sinjale nisjes së garave. Gara e parë e zhvilluar ka qenë ajo e 100 m e cila ka dhënë këto rezultate. Në vend të parë Nexhmi Starova nga Pogradeci me kohën 1 min e 17 sek e 3/5. në vendin e dytë Taq Dafa nga Durrësi me kohën 1 min e 25 sek e 2/5. Në vendin e tretë Lin Shestani nga Shkodra me kohën 1 min e 31 sek e 1/10. gara e dytë që u zhvillua ishte ajo e 200 metrave e cila dha këto rezultate. Në vend të parë Osman Rexha nga Durrësi, me kohën 3 min e 24 sek. Në vendin e dytë Hysen Minerolli nga Pogradeci me kohën 3 min e 25 sek e 1.5. në vend të tretë Dhiseo Neramo nga Himara me kohën 3 min 38 sek e 3/10. në garën 400 metra përsëri do të triumfonte një durrsak i cili zuri vendi e parë. Kështu në vend të parë u rendit Nikolla Janko me kohën 7 min e 31 sek e 2/5. në vend të dytë Osman Rexha nga Durrësi me kohën 7 min e 50 sek e 1/5. në vend të tretë Vasil Beligradi nga Durrësi me kohën 8 min 16 sek 4/5. kjo ishte edhe gara që u quajt ndryshe edhe gara e durrsakëve pasi tri vendet e nderit i fituan këto të fundit. Edhe në garën e 1000 m do të spikasin notqarët durrsakë që do të fitinin vendet e para dhe të dyta. Kështu në vend të parë u rendit Taq Dafa me kohën 19 min 42 sek e 4/5 në vend të dytë u rendit Marion Skarjeti me kohën 19 min 43 sek dhe në vend të tretë u rendit himarjoti Jani Dhima me kohën 20 min 35 sek. Këto gara shënuan edhe një kuriozitet. Ai ishte krahasimi i kohës në disa gara me kohët e arritura në vitet e mëparshme dhe për herë të parë u vu re se ishte thyer rekordi modest vetëm në 100 m, nga Nexhmi Starova i Pogradecit.

Shtypi do të shkruante: performanca e notarëve përgjithësisht sivjet qe shumë më e mirë se në vitet e kalueme, por mundimi I tyre qe I penguem në një shkallë të madhe prej një ere mjft të fortë dhe një deti që ishte shumë i ftohtë. Ky kampionat pati edhe statistikat e veta, të cilat kishin të bënin me numrin e ekipeve dhe të notarëve që kishte secili ekip. Vendin e parë për nga numri i notarëve e mbante qyteti i Vlorës, i cili kishte 12 notarë për të ardhur më pasë tek Pogradeci, i cili kishte 6 notarë, ndërkohë që Durrësi e Shkodra kishin nga 5 notarë dhe numrin më të pakët të notarëve e kishte Himara me vetëm katër. Çmimet e dhënë në këtë kampionat. Me përfundimin e kampionatit një vend të rëndësishëm zinin edhe stimujt moral dhe materjal. Kjo dukej qartë edhe në numrin e madh të atyre që shpërndani stimujt, gjë e cila dëshmon edhe për një farë serioziteti që ky sport të merrte të tjera përmasa. Çmimet edhe pse jepeshin nga organizma apo shoqëri të ndryshme, ndaheshin të gjithë nag Princeha Ruhije. Gjithësei e par që ndante çmimet ishte Federata Sportive, e cila dha për të tre vendet e para diplomë si dhe medaljen “Vermeil“ për vendin e parë, dërsa për vendet e dyta dhe të treta medalje argjendi dhe bronzi. Ndërkohë që bashkia e Durrësit dha 15 ...për të parët e secilës garë. Shoqëria Stamles shpërndau për vendin e parë një servis komplet akullore për vendin e parë në 100 m, servis komplet pije vermut për të parin në 400 m dhe servis likuors të parit në 1000 m.

Çmime shpërndanë gjithashtu edhe Marina si dhe Komiserija Federale e Durrësit. Komisioni i cili gjykoi këto takime përbëhej nga gjashtë vetë, tre italian, Vitali, Antico, Pelagalti si dhe shqiptarët Eqerem Stërmasi, Ilia Deliu dhe Hysejn Cala. Italianët të cilët kishin më shumë njohuri për garat e notit dhe që mbajtën peshën në organizimin dhe gjykimin e ndeshjeve shprehën pas përfundimit të kampionatit të kënaqur me përparimet që ishin bërë. Pelegatti do të shprehej në shtypin e kohës “...i mirë qe vrapimi i Starovës në 100 m, por ky mund të përmirësohet edhe ma i mirë, fitimi i Rexhës në 200 m, por edhe ku duhet ta kurojë edhe më tepër stilin. I mirë fitimi i Jokanos në 400 m si nga stili ashtu edhe mënyra e luajtjes së krahëve si dhe marrja frymë. Por kjo mund të thuhet edhe për Dafën në 100 m. Shumë simpati tërhoqën Skanjeti me Beligradin, të cilët ndonëse tepër të rinj premtojnë shumë për të ardhmen“. Gjithsesi, kampionati i këtij viti shënoi edhe nisjen e një tradite në sportin enotit, i cili reshton se emrat e parë nga Durrësi ato të Taq Dafa, Spiro Goga, Osman Rexha, Xhavit Hyseni, për të vazhduar më pas me notarë të rinj të viteve 34-38 si Shaqir Kapexhiu, Tom Gjiri, Daut Rexha, Tom Goga, Vasil Beligradi, Naxhi Stringa, Baftjar Kokona, Marjan Skanjeti, Beqir Golemi, Gjergj Daragjati e ndonjë emër tjetër. Ajo që duhet të theksohet gjithashtu është se nga viti ’40 e deri në mbarim të luftës garat janë zhvilluar në qytete të ndryshme si në Pogradec dhe Berat, derisa të kufizuara janë zhvilluar në pishinën që ishte në oborrin e Teatrit Kombëtar Kosova. Edhe në këto vite listës së notarëve të shquar do t’i shtoheshin emra të rinjë nga Durrësi si Dhimitraq Goga, Qani Ktroshi, Sulejman Tufa, Ramadan Lulodhi e Hiqmet Cerloi. Gjithësesi Taq Dafa do të mbetet legjenda e notit durrsak, kjo jo vetëm për rezultatet e tij në gara por edhe perfeksionimi që ai bëri mënyrës së të notuarit duke qenë gjithashtu i pari që futi stilin krol që njihet edhe si më i shpejti.

Mirbam Kadiu

Faqja e Pare Lajme Rezultatet Multimedia Rreth Fshn Partneret Kontakt Login

© 2013 FSHN - Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.