Enver Muriqi, legjenda e notit shkodran Nga Bashkim Aliraj


Enver  Muriqi,  legjenda

e  notit  shkodran

Nga Bashkim Aliraj

Enveri  lindi  në  Shkodër në  vitin  1934 dhe  u  rrit  aty. Një  nga  familjet  më të  vjetra  shkodrane. Ky  qytet  është  quajtur  me të  drejtë  djepi i cilësisë sportive, sepse ka nxjerrë sportistë shumë të mirë. E kjo jo vetëm në futboll, por edhe në basketbolli, çiklizëm, atletik, peshëngritje. E mbi të gjitha edhe në not. Një  nga  figurat  më të  shquara  të  notit shqiptar, kampion dhe rekordmen  i  vendit,  trajner  është Enver  Murriqi. Familja  Murriqi  në  Shkodër  është  e njohur  dhe  dëgjuar  në  not.  Rreth  18  vetë  të  familjes  së  tyre janë përfaqësuar në  klubin  Vllaznia  dhe  kanë  kontribuar  për  të. I  vëllai  i  madh  Ismaili, Agimi, Media, Sindriti, Kudrete, Liria etj. Por  Enveri  për ta  ka  qenë si  një  timonier i  mirë. Ai  që  fëmijë  ka  qenë  njeri  i qetë, i urtë dhe  i  dashur. Rezultatet e tij  në  not  përbëjnë padyshim një epokë. Çdo vit në verë të rinjtë do të ushtronin  këtë  sport të bukur tek ura e Bunës, në zallin e Kirit, në Shirokë, Velipojë, Zogaj etj. Enveri që fëmijë frekuentonte Urën e Bunës dhe Shirokën. Për të marrurin me sporte në mënyrë të organizuar përbën atë veçori dalluese dhe karakteristike, atje ku lidhen bazat e një shoqërie e miqësie të shëndoshë reciproke. Me të rritet së bashku pasioni dhe kënaqësia. Teksa mendoj për karrierën e shkëlqyer sportive të Enver Murriqit mendja më shkon dhe kujtoj me respekt dhe nostalgji dhe shokët e tij të ekipit  H. Zaganjori, Mendu dhe Emin Lishi, S dhe Z. Ibrahimi, I. Elezi, vëllezërit e tjerë Mark, Tef, Zek e Rok Shestani, E. Avdija, L. Burgia, O. Beja, Sh. Gjoni. Tre prej të cilëve sot nuk jetojnë më. Enveri, disa prej tyre, që fëmijë i mbante afër, u mësonte notin dhe pastaj konkuronte me ta në garë. Notin Enveri e filloi në vitin 1948. Trajner të parë kishte mësuesin e edukimit fizik I. Dizdari, që kishte mbaruar jashtë. Nuk kaloi shumë kohe, 2-3 vjet, dhe ai u bë kampion kombëtar me të rinjtë e kjo që në vitin 1951. Garat për herë të parë u zhvilluan në Shirokë në Shkodër. Më vonë në vitin 1954 ai shkoi ushtar tek Klubi i Partizanit. Atëherë Klubi i Partizanit grumbullonte sportistët më të mirë të vendit e kjo në të gjitha sportet. Trajner aty Enveri do të gjente të nderuarit e respektuarit P. Çaslli dhe Sh. Kapexhiu. Stërvitja e mirë bëri që nga viti 1954 -1956 ai të thyente rekordin kombëtar të të rriturve me bretkosë në distancat garën 100 e 200 m. Rekord ky që në atë kohë mbahej nga notari i Lokomotivës së Durrësit, G. Hajzedari. E.Muriqi pas ushtrisë dhe deri në vitin 1963-1964 notoi me Vllazninë dhe për 10 vjet mbajti titullin kampion dhe rekordmen kombëtar. Në ato vite Vllaznia konkuronte me Lokomotivën e Durrësit, që ishte një nga ekipet më të mira me të paharruari I. Ibrahimi, E. Avdia, të cilët sot nuk jetojnë më. Trajner ishte Sh. Mehmeti, një njeri i palodhur. Disa vite, për gati 6-7 vjet, Vllaznia me të rriturit doli kampione kombëtare. Enveri nuk ishte vetëm një notar i mirë, por dhe vaterpolist i mirë. Ai luante portier me Vllazninë. Ata ishin jo vetëm sportistë shumë të mirë, por dhe djem të mirë por edhe me shumë me humor. Më kujtohet një ndeshje me ne, me Flamurtarin në kampionatin kombëtar, që zhvillohej në Vlorë në plazhin e ri, tek moli. Një lojtari i ynë u ankua tek arbitri se një nga shkodranët e mbante nga këmba. Arbitri mbajti lojën dhe i tha: si është puna, përse e mban,etj. “Jo mor burrë ne jena shok, ma jep vetë këmbën”. Të gjithë aty pranë qeshën dhe filloi përsëri loja. Sekretar federate në ato vite ishte R. Rama, një burrë shumë i mirë, komunikues dhe organizator i zoti. E. Muriqi, pasi la notin, nuk e lëshoi karrierën e tij. Në vitin 1974, ai filloi si trajner me Vllazninë me të rinjtë. Edhe pse kishte vështirësi në fillim për bazën materiale ai nuk tërhiqej, punonte me pasion e këmbëgulje. Dhe për tetë vjet rresht ekipi i drejtuar prej tij doli kampion kombëtar. “Nuk na lodhte puna,. thotë Enveri  - po shpesh mërziteshim sepse nuk kishim kushte për stërvitje”. Por Enveri vazhdimisht punonte dhe stërviste notarët në Shkodër. Nga viti 1974-2014, ai punoi një kohë të gjatë si trajner. Por 40 vjet nuk janë pak, janë një jetë e tërë. Ai nxori një grup notarësh të mirë kampionë e rekordmenë të vendit si K. Kozmai, R. Shestani, A. Plisi, M. Muriqi, A. Muriqi, L. Muriqi, S. Murriqi etj. E pyes Enverin tani për gjendjen e situatën e notit në Shkodër. Ai me trishtim e zëmratë të përgjigjet: “Shkodra ka pasur dy pishina një 25 metërshe të mbyllur dhe një 50 metërshe të hapur dhe tani nuk ka asgjë. Notarët nuk kanë se ku të stërviten, prandaj edhe cilësia e notareve ka rënë”. “Noti – thotë ai - nuk mund të zhvillohet vetëm në Tiranë, më përpara zhvilloheshin gara edhe në Lushnjë, Korçë, Elbasan. Sa më shumë të shtrihet noti, aq më mirë është”. Enveri ka qenë i nderuar e respektuar në qytete të ndryshme. Në vitin 1954 ka marrë titullin Mjeshtër Sporti. Më vonë, në vitin 1992 -1993, atij iu dha titulli Mjeshtër i Merituar i Sportit. Në vitin 2010, nga Bashkia e Qyteti të Shkodrës iu dha titulli “Legjenda e notit shkodran”. Këta tituj pse mos të themi që i ka merituar me punë dhe sakrifica të mëdha. Duke ndjekur rrugën e tij ai i dha notit shqiptar jetë, dashuri, respekt dhe mirënjohje.

* Trajner i Merituar

Shoqata Jon-Vlorë

Faqja e Pare Lajme Rezultatet Multimedia Rreth Fshn Partneret Kontakt Login

© 2013 FSHN - Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.