Jani Hondro - Simbol i notit modern Shqiptar

Jani Hondro vitin e kaluar mbushi 10 vjet që është ndarë nga jeta e tij. Shumë specialist e trajner e kanë quajtur atë ndër më të mirin e kohërave ne not. Të shkruash për Janin natyrisht nuk është e lehtë. Si notar e mësues, jeta e veprimtaria e tij është e shquar. Si notar, ai nuk mund të vështrohet vetëm nga numri i madh i rekordeve kombëtare që ka vendosur. Në ato vite (1965, 1966, 1967), patën një jehonë të madhe por në radhe të parë nga niveli dhe teknika e gjithanshme e notimit. Jani arriti kulmin e tij ne vitin 1966 duke thyer 12 rekorde kombëtare për të rritur e të rinjtë. Ai në qytetin e Sarandës theu rekordin kombëtar në 100 e 200m stil i lirë, në 100 e 200 m stil delfin, në 400m katërnotin individuale, në stafetën 4x200m stil i lirë etj. Me të drejtë ai u quajt ylli i notit shqiptar dhe “Flutura e detit” etj.

Jani me ekipin e “Flamurtarit” të Vlorës u stërvit nga vëllezërit trajner Thoma e Sotiraq Papa. Jani filloi notin në moshën 7-8 vjeç. Banonte në Skelë dhe shtëpinë e kishte 50-60m larg detit. Në ekipin e notit ai u inkuadrua në vitin 1963. Atë vit në ekipin e “Flamurtarit” me trajner Thoma e Sotiraq Papa kishte një grup notarësh të mirë si K. Sadiku, F. Nikolla, Sh. Bega, B. Aliraj, Dh. Doga, M. Likaj, që po bënin emër në not, me më të vjetrit I. Kreshpa dhe M. Beqiri. Kishte filluar një kujdes e organizim i mirë në not.

Nga ana e kryetarit të sportit Leonardo Kruta dhe inspektorit Vllas Opingari per notin kishte një interesim mjaft të madh. Pranë ekipit të notit përveç Janit atë vit u inkuadruan edhe notarë të tjerë të rinjë si K.Levani, Ylli Likaj, N. Bodo, D. Roshi, P. Kisi, A. Mezini , F.Konomi , I.Mati etj.

Jani mori me vete dhe vëllain e tij, Vilsonin, që sot është mjek në Austri. Të gjithë çunat dhe Jani nuk e kishin problem që të vinin rregullisht në stërvitje sepse pjesa më e madhe e tyre banonin afër ose në Skelë. Falë pasionit të tyre dhe këmbënguljes në stërvitje bënë që shumë shpejt tek Jani të dilnin në pah cilësitë e shkëlqyera. Ekipi rritej, po bashkë me të, rritej e zhvillohej djaloshi Jani Hondro. Trupi i tij zbukurohej çdo ditë e çdo muaj. Mbas tre vjetësh, në vitin 1965 në muajin korrik, në Sarandë, ai theu rekordin kombëtar për të rritur në 100m batërflaj me kohën 01.17.40 dhe në 200m katërnotim me kohën 02.57.10 për të rinjtë. Edhe në stafetën 4 x 100m stil i lirë , vlonjatet thyen rekordet kombëtare për të rinj me kohën 04.48.30 edhe me vone ata thyen dhe stafeten 4 x 100m te perziere për të rriturit me kohën 05.29.30 nga 05.34.00 që ishte rekordi i mëparshëm.

Po këtë muaj (korrik 1965), ne takimin e me te mireve ne Korce Jani Hondro do të thyente përsëri rekordin kombëtar në garën e 100m me kohën 01.17.20 dhe zuri vendin e parë në garën e 200m batërflaj me kohën 03.09.60 duke mundur dy konkurrentët M. Shestani të Vllaznis dhe Sh. Gjepali të Lokomotivës.

Jani dallohej për vendosmërinë e vullnetin në stërvitje e në garë. Ai ishte një djalë i qetë , o dashur dhe serioz. Jani punonte shumë e fliste pak. Trajnerët duke parë këto vlera tek e pasionin e tije, filluan punën duke i mësuar Janit një stil te ri, delfinin, që nuk ishte aplikuar ndonjëherë me notarët tanë. Si stil ishte më i vështiri por më rezultativ. Jani filloi ta përvetësoj shumë mirë. Bashkë me të edhe shokët e tjerë, F. Zykaj, D. Oroshi etj. Ky stil nuk ishte i përhapur në vend. Pothuaj ishin notarët e Vlorës që po e aplikonin të parët. Trajneri Sotiraq Papa na tregonte libra, kinograma, figura për të patur një ide sa më të qartë për stilin.

Dhe nuk kaluan 2-3 muaj në Sarandë, në gusht të vitit 1966, gara e 100m delfin do të kurorëzohej me sukses nga notari Jani Hondro me rekordin kombëtar për të rinj e të rritur në kohën 01.12.90, rreth 5 sek më mirë nga rekordi i mëparshëm. Garën e 200m delfin e theu notari tjetër i Flamurtarit Fatmir Zykaj me kohën 02.44.60 që mbahej nga Jani. Atë vit pati dhe notarë të tjerë që thyen rekorde si P.Kisi në 100 m bretkosë me kohën 01.24.90, që i përkiste notarit të Shkodrës E. Avdia. U thye përsëri rekordi kombetar ne garen 4 x 100m stafeta e përzier për të rritur.

Por Jani Hondro, siç përmenda më sipër ishte protagonisti kryesor. Këtë vit ai theu mjaft rekorde kombëtare të tjera si në 100m e 200m stil i lirë, 200m e 400m katërnotin. Ai u cilësua si notari më i mirë i vendit. Ai ishte vetëm 17 vjeç atëherë, me një trup shumë të bukur dhe elegant. Me të drejtë dhe shtypi i asaj kohe do ta quante “flutura e detit”. Një epitet shumë i bukur për trupin dhe teknikën e mirë të notarit të talentuar Jni Hondro. Ai shquhej për lëvizje tepër të sakta, harmonike e të bukura. Nuk gabojmë ta quajmë notar më i bukur i kohërave.

Natyrisht nuk mund të lemë këtu pa përmendur punën plot pasion të trajnerit të tij Thoma Papa, që punonte pa u lodhur. Ai krahas stërvitjes që bënte çdo ditë dhe dy herë në ditë, na rregullonte dhe bazën materiale, xadrat e notit për stërvitje, kujdesej për ne për trajtimin ushqimor, dhe ne notarët e ndihmonim atë: I faleminderit shumë trajnerit tonë për gjithçka që bënë për ne, për punën e madhe që ka bërë për ecurinë e notit në Vlorë, dhe atij Shqiptar. Edhe Thomai nuk jeton më dhe ai mbushi 10 vjet që është ndarë nga jeta. Me Janin atë e ndau vetëm një ditë nga jeta që u larguan njëri pas tjetrit. Dhe kjo shpesh ndodh me ata që duhen shumë.

Si mesues Jani - thote shoku dhe kolegu i tije Lefter Suparaku ishte per tu admiruar per niveli dhe njohurite qe kishte. Ai vinte cdo dite i pergatitur per mesimin. Niveli shkencor i tije ishte per tu lavderuar, ai ishte serioz e kerkues, prandaj dhe nxenesit e donin shume.

Edhe unë kam qenë notar në ato vite dhe kam kujtime te vecanta me Janian e i kam përjetuar vetë disa nga momentet. Kur i kujtoj këto më kap emocioni dhe ndiej tronditje, sepse që të dy ata nuk jetojnë më. Po dhe Dhori Doga, që nuk jeton më, një nga notarët më të mirë të vendit, me ekipin e Flamurtarit dhe të Partizanit, pjesëmarrës e rekordmen në stafetën 4x100m të përzier me Flamurtarin. Dhorin e kisha dhe shokë fëmijërie dhe shkolle. Po ashtu kujtoj me respekt dhe ish-trainerin A.Kadena që nuk jeton më. Ai u be dhe trajinier i ekipit kombetar te femrave ne vitin 1972 -73

Kanë kaluar vite dhe në kujtesën time mbeten të pashlyera. Mendoj se e kemi për detyrë që t’i kujtojmë e ti nderojmë këta njerëz, sidomos federatën e Notit apo Ministria e T.K.R e Sporteve, sepse këta janë njerëz që i kanë dhënë shumë notit pa asnjë interes, vetëm fal pasionit e dëshirës së tyre. Kete vit ne 30 Mars Federata e Notit organizoje per nder te tije kupen “ Jani Hondro ” nje gje shume e mire qe duhet vazhduar me tej .

Bashkim Aliraj
Trajner
Shoqata “JON” Vlorë

Vlorë më 31.03.2013



Faqja e Pare Lajme Rezultatet Multimedia Rreth Fshn Partneret Kontakt Login

© 2013 FSHN - Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.