Sulejman Poda, Mjeshtër i Madh i notit shqiptar...!




47 vjet kontribut në sportin e ujit, mbi 120 rekorde të vendosura nga sportistët e tij

Gjergj Vyshka

Sulejman Poda është një emër që njihet në trajningun e notit shqiptar. E kjo jo thjesht për atë që vazhdon të bëjë, teksa është rreth të 75-tave, por për të gjithë talentet e notit shqiptar që për 47 vjet ka rritur e ka bërë kampion me duart e tij. Dhe për të gjithë këtë kontribut të dhënë në sportin shqiptar, ndonëse për Sulejman Podën trofetë nuk kanë munguar asnjëherë, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, më 26 mars 2015 e ka nderuar me titullin Mjeshtër i Madh. E ky titull ka ardhur me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar të dhënë në sportin e notit, si specialist dhe trajner i nivelit të lartë, me një kontribut të madh në përgatitjen bashkëkohore të talenteve të reja, në kualifikimin e sportistëve cilësorë, për arritjen e rezultateve të larta në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare”: Edhe sot Sulejman Poda, edhe pse rreth të 75-tave, ngjan si djalë i ri. E sheh gjithnjë në majë të biçikletës, me mëngë të shkurtra edhe kur është dimër i ftohtë. Gjithnjë pranë pishinave dhe ujit, ndërsa stërvitja e fëmijëve është pjesë e tij, Madje noti është bërë dhe si familja e tij, ndonëse në jetë është bashkëshort i mirë, por dhe baba shumë i mirë. Por që... me dëshirën e tij nuk ka dashur ta trashëgojë këtë sport tek pjesëtarët e tjerë të familjes së tij...

Sulejman Poda njeri shumësportësh

“Unë kam plot 47 vjet që merrem me notin që në vitin 1968. Ka qenë një pasion i kahershëm për t’u marrë me notin, ndërsa do të isha pranë pishinave, apo pse jo dhe në Liqenin artificial”, nis të rrëfejë Sulejman Poda. Mirëpo Poda është një figurë shumëplanëshe, sepse është futbollist, është alpinist, është skiator, pa harruar që është një Mjeshtër i madh në notin shqiptar. Për çudi është ndër ata të rinj tiranas që ka dalë në futboll nga duart e ustait bardheblu, Xhavit Demneri. “Kam qenë 12 vjeç kur kam nisur të merrem me futbollin, ndërsa një mjeshtër si Xhavit Demneri jo vetëm që dinte t’i stivoste, apo t’i seleksiononte brezat, por dhe e mbante gjallë këtë traditë”. Poda kalon me radhë të gjitha grupmoshat derisa një ditë është në ekipin e të rriturve. “Unë – thotë Poda – kam luajtur me të rinjtë, ndërsa kam qenë edhe kapiten i ekipit, ndërsa kemi pasur trajner dhe Remzi Bulkun. Më pas kam luajtur me shpresat dhe me të rriturit kam qenë pjesë e formacionit të Tiranës më 1964 në një ndeshje me Elbasanin në të cilën ne kemi barazuar 2-2”. Por kontributi i Podës në futboll është edhe tek Flamurtari, teksa duke qenë ushtar në Vlorë luan për fanellën kuqezi në sezonin 1963-1964. E duket se këtu merr fund karriera e tij si futbollist, sepse noti do të ishte ajo që do ta tërhiqte më fort në kushtet kur do të kishte përkrah si miq të ngushtë Arben Jorgonin dhe Esat Muzinën. Dhe nëpërmjet alpinizmi dhe skive, Poda do të ishte si Mjeshtër Sporti, ashtu dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit. Por për kontributin e tij si pjesë e fanellës bardheblu, Sulejman Poda ka marrë dhe titullin nga shoqata Tirana “Krenaria e Tiranës...”

Noti, emblema e mjeshtrit Poda

1968 shënon fundin e të marrurit me disiplina të tjera sportive dhe fillimin e përqendrimit në një sport të vetëm që është noti. Kështu ka ndodhur me Sulejman Podën, i cili për plot 23 vjet do të ishte trajneri i Studentit në not. Shumë emra, shumë histori, por shumë trofe, ndërsa Sulejman Poda sot e kësaj dite krenohet me notarët që ka pasur në klubin e Studentit. Sepse ka qenë trajneri i Jani Hondos, ka qenë trajneri i Skerdilajd Shytit. E më pas me radhë Elida Xhindit, Spiro Angjelit, Ridvan Gjeçajt, Hasan Hafizit, Edmond Kapedanit. “Unë kam marrë pjesë me këto sportistë në disa kampione e Kupa të Shqipërisë dhe prej shumë vitesh kemi qenë kampion. Janë të gjithë rekordmen, por që janë një faqe e historisë së artë të Studentit në not. Që për fat të keq sot nuk ekziston. Ishte nder dhe lavdi t’i stërvisje këto notarë e më pas t’i bëjë rekordmen, apo pse jo dhe fitues të medaljeve në Ballkan e më gjerë”, thotë me krenari Poda. Por që vjen një ditë që Studenti nuk duhet të ekzistojë më në not. E gjithsesi pasioni për sportet e ujit nuk do ta mbante shumë larg pishinave.

Krijues ekipesh private dhe kampion

Ada është skuadra e parë private që është krijuar nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Sulejman Poda. E më pas Lori 2006 e në fund Uillson. Këtu duket se ka qenë finishi i Podës trajner me ekipet private, ndonëse e sheh dhe pranë Stelës. “Gjithnjë jam marrë me moshat. I kam stërvitur me dëshirë dhe i kam bërë kampion, kurse po të më pyesësh për një shifër të saktë të rekordeve do të mund të them që janë mbi 120 të thyera. Dikur të mbetur nëpër libra rekordesh të Federatës Shqiptare të Notit, por që janë thyer tashmë”, ka thënë Poda, që bën të ditur se ka qenë një rrugë e gjatë me notin, që nuk përsëritet më, por që gjithnjë ka sjellë kënaqësi. “Është punë shumë e bukur dhe emocionale që të merresh me fëmijët, e cila në një farë mënyre është e ardhmja e gjithë sportit në vend. Sa për familjen, i kam pasur gjithnjë mbështetje, asnjëherë nuk janë bërë pengesë për atë që unë kam bërë me notin dhe kanë pasur kënaqësi sikurse dhe unë për rezultatet e arritura”, ka përfunduar Poda, një mjeshtër i madh i notit shqiptar. Por për Podën nuk kanë munguar as specializimet, sepse fal miqësisë së kahershme që ka pasur me ish-presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Arben Jorgoni, ka marrë pjesë në disa kurse kualifikimi. Ndaj dhe Sulejman Poda, jo vetëm që është një figurë e kompletuar, por mbi të gjitha një specialist i mirëfilltë për marrjen me moshat e vogla.

Faqja e Pare Lajme Rezultatet Multimedia Rreth Fshn Partneret Kontakt Login

© 2013 FSHN - Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.