Spiroja kishte një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet e arta të notin të Sarandës. Fitoi shumë medalje dhe tituj kampionë.
(Një shkrim i nisur qysh më parë).
Ndjej trishtim kur flas e shkruaj për Spiron, ai nuk jeton më tani, por la pas mundin, djersën dhe sakrificat e tij që noti në Sarande dhe në Shqipëri të eci shumë. Vitin e kaluar në verë e prisja, për të pirë një kafe pranë një lokali buzë detit. Me të qeshur i them: “Po ku je o Spiro, na ke kthyer kurrizin e nuk po dukesh më me notin”. “Po,- më tha, – mund ta kem kthyer kurrizin, por mendjen dhe shpirtin e kam tek noti”. Spiro Koçon e kam njohur qysh në vitin 1963 në Teknikumin e Fizkulturës në Tirane. Mbas atij viti shkoja në Sarandë për garat e notit me ekipin e Flamurtarit. Dhe shoqëria u forcua më shumë, pasi diskutonim për notin dhe garat e tij.
Edhe pse ishim në paralele të ndryshme takoheshim shpesh dhe diskutonim për sportin e sportistët më të mire. Po djemtë e klasës së Spiros vinin më shpesh në klasën tone se kishte vajza, kurse klasa e tyre jo. Ishin vite të bukura dhe të paharruara. Spirua merrej me futboll dhe luante me të rinjtë e Dinamos, po ai donte shumë dhe atletikën si sport. Dhe thoshte: ‘Se pa atletikë nuk ka sport, nuk ka as futboll”. Spiro Koçua ishte i palodhur dhe kishte një vullnet të jashtëzakonshëm. Atë shpesh e shikoje në shkollë të stërvitej në atletikë në krahë me mjeshtrin e sportit, kampionin dhe rekordmenin e vendit në 800 e 1500 m me Sokol Morinën. Spirua në atletikë në atë kohë përfaqësonte I.K.F “Vojo Kushi” në garat e gjata 3000 e 5000m. Po ai kishte pasion shumë dhe futbollin dhe luante me ekipin e Dajtit. Në shkollë Spirua shquhej për shpirtin e tij luftarak e të drejtë. Luftonte ndaj padrejtësive. Ai nuk ngurronte që, të kritikonte hapur dhe në sy dhe ndonjë pedagog për metodën dhe stilin e tij në punë. Po hapur fliste Spirua atëherë edhe për ushqimin e kushtet e sportisteve në shkollë, me që ishin sportistë më të mirë pjesa më e madhe. Po kjo nuk ishte e lehtë sepse ndonjëherë këto, ti merrnin edhe për keq si agjitacion dhe propagandë. Ajo që më ka pëlqyer më shumë tek Spirua ishte karakteri, kuraja dhe dinamizmi i tij. Ai ishte i drejtpërdrejtë me të gjithë.
Sa mbaroi shkollën në vitin 1966, Spirua u emërua mësues në Sarande në shkollën e mesme të përgjithshme “Hoxha Tasim”. “Si mësues, – thotë ish-drejtori i shkollës, z.Xhorxhi Vasili, – ai ishte plot pasion e i palodhur. Ishte një organizator mjaft i mirë që shquhej në aktivitetet masive fizkulturore e sportive. Spirua ishte dhe një metodist shume i mire, i cili ndihmonte dhe mësuesit e tjerë më të rinj. Ai ishte kërkues e korrekt në çdo kohë”. Por, Spirua duke u ndikuar nga natyra e bukur, qyteti i mrekullueshëm filloi punën si trajner. Ndihej nevoja më shumë me djemtë në ato vite sepse vajzat ishin më mirë në not. Prandaj në vitet 1972–1973 atij iu besua kjo detyrë me djemtë. Po më shumë Spiron e shtynte pasioni dhe dashuria që ky qytet me djemtë në not të zinte vendin e merituar. Puna e trajnerit i ngjan atij të një artisti ose shkrimtari që ngre themelet e saj mbi ndershmërinë e humanizmin. Kështu që në këtë drejtim duhej shumë punë dhe po nuk qe trajneri në pararojë, aktiv e optimist, zor se mund të arrihen rezultate të mira. Përveç notarëve të vjetër që gjeti në ekip, si “Mjeshtrit e Sportit”: I.Muço dhe M.Didati, ai punoi e grumbulloi dhe elementë të tjerë me perspektivë. Duke iu përgjigjur pyetjes sime në një interviste para se të ndërronte jetë, ai thotë: “Përveç rezultateve të larta, kërkohej dhe vazhdimësi në punë sidomos me elementin me perspektivë por, mbi të gjitha, – tha Spirua, – kërkohej pasion e përkushtim në stërvitje për të arritur rezultate të larta”. Dhe me një punë këmbëngulëse e sistematike ai ia doli mbanë. Ai kishte besim tek pasioni i tij edhe pse kushtet e stërvitjes nuk ishin fort të mira. Por duke u stërvitur dhe dy herë në ditë e me intensitet puna i dha frytet e saj. U thyen disa rekorde kombëtare dhe u zunë disa vende të para dhe të dyta nga notaret e tij. Spirua nxori një plejadë të tërë notarësh që, bënë emër në not si I.Muço, M.Didati, Sh.Kote, A.Gjini, R.Gjenerali, A.Angjeli e S.Angjeli, A.Bala, P.Zera, I.Meçe, M.Rako, M.Xhelili, E.Duka, S.Ahmeti, P.Zhupa, A.Kalcuni etj. Ekipi doli kampion disa vjet për të rinj dhe të rritur në vitet: 1973, 1974, 1975 1976, 1978 e më vonë. Ja çfarë thote trajneri i ekipit të Traditës, z. A.Gjini që ka qenë dhe njekohësisht notar i tij. “Ato ishin vite të arta për notin e Sarandës që, nuk vijnë më. Dhe merite të veçantë për këtë kishte Spiro Koço Ai ishte i palodhur dhe i pasionuar”. Por, nuk mund të lë pa përmendur sidomos rezultatet e shkëlqyera të notarit Sh.Kote në 100 e 200m delfin që, sollën një epokë të re në not. Ato ishin të pabesueshme për atë kohë. Rezultati i 100m delfin me kohën 01.04:00 ishte më i mirë së 100m stil i lire para 10-vjetësh i notarit te talentuar K.Karamuço të Lokomotivës që ishte 01.04:70. Por, natyrisht këto rezultate u arritën në saj të punës së palodhur dhe stërvitjes cilësore që u zhvillua me notarët nga trajneri i talentuar Spiro Koço. Tani nuk mund të bëheshin me krahasime me të kaluarën por, me të tashmen dhe të ardhmen. Spirua vazhdimisht u fliste notarëve që ata të mos vetëkënaqeshin me rezultatet e arritura. “Ato, gjithmonë – thoshte ai, – duhet ti krahasojmë me rezultatet e notarëve të vendeve ballkanike dhe europiane”.
Ja çfarë thotë ish-sekretari i Federatës së Notit, Sadik Mema: “Spiro Koço ka qenë një trajner me pasion të madh që i ka dhënë shumë notit. Ai ishte njeri i drejtë, i papërtuar. Me të kam qenë në disa veprimtari ndërkombëtare si Zvicër , Greqi etj”. Spirua ishte njeri këmbëngulës e i vendosur por ai dallohej edhe për durimin e tij. Edhe pse vinte ndonjëherë në aktivitet me 30-40 notarë (me djem e vajza), ai nuk mërzitej e lodhej. Kënaqësia me e madhe për të ishte që, të çonte kupën në Sarandë. Vetëm atëherë ai qetësohej. Edhe ne vitet e tranzicionit ai punoi shumë dhe në vitet 1993, 1994, 1995, 1996, 1997 ai doli kampion me meshkuj për të rritur në kampionat kombëtar. Mjaft notarë të tij në veprimtaritë ndërkombëtare përfaqësuan vendin si P.Xhixho, L.Andoni, V.Eksarko, A.Seferi, S.Muço, G.Thomagjini morën pjesë në kampionate ballkanike, takime europiane dhe botërore, siç ishte rasti i notarit të mrekullueshëm P.Xhixho, V.Eksarko, që morën pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror të Maratonës në Maqedoni në garën 26 km. P.Xhixho në këtë gare u radhit i 14-ti duke përfituar dhe shpërblimin e merituar.
“Nder i Notit Shqiptar”
Spiro Koço ka qene disa here për punën e tij të mirë trajner i ekipi Kombëtar në veprimtaritë ndërkombëtare si në Greqi, Maqedoni, Kroaci, Itali, Zvicër, Bullgari, etj.. Në vitet 1999-2000 ai u zgjodh dhe shefi i klubit sportiv të Butrintit. Me punën e tij plot pasion bëri që disa sporte si futbolli, basketbolli, shahu, etj., të ecnin mirë. Por, zemrën dhe shpirtin natyrisht e kishte tek noti dhe nuk rrinte pa ndjekur ekipin vazhdimisht në gara. Në ato vite noti pati një ecuri të mirë si për djem dhe për vajza. Në vitet 2002–2006, Spiro Koço u zgjodh dhe anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Notit. Detyrë të cilën e kreu me nder e dinjitet. Në vitin 2004, ai mori titullin “Nder i Notit Shqiptar” nga Federata Shqiptare e Notit. Në vitin 2013, Bashkia e qytetit te Sarandës për kontributin e tij si mësues, edukator dhe trajner i shquar i dha titullin “Qytetar Nderi i Sarandës”. Një titull ky plotësisht i merituar. Kjo është një kënaqësi jo vetëm për familjen, shokët dhe miqtë e tij por për të gjithë kuadrot e fizkulturës dhe specialistet e notit shqiptar.
Të krijohet kupa “Spiro Koço”
Mendoj se z. Spiro Koço i takonte titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, për kontributin e tij të shquar në not. Për këto figura te shquara, Qeveria e ardhshme dhe Ministria e Sporteve duhet të hapë dritën jeshile pa ngurrim. Është në nderin e Bashkisë së qytetit të Sarandës dhe Federatës së Notit që për këtë figurë të madhe të organizojë një veprimtari mbarëkombëtare të përvitshme me emrin Kupa “Spiro Koço”.
Plejada e notarëve të shquar
Spirua nxori një plejadë të tërë notarësh që, bënë emër në not si I.Muço, M.Didati, Sh.Kote, A.Gjini, R.Gjenerali, A.Angjeli e S.Angjeli, A.Bala, P.Zera, I.Meçe, M.Rako, M.Xhelili, E.Duka, S.Ahmeti, P.Zhupa, A.Kalcuni etj. Ekipi doli kampion disa vjet për të rinj dhe të rritur në vitet: 1973, 1974, 1975 1976, 1978 e më vonë. Spiro Koço ka qenë një trajner me pasion të madh që i ka dhënë shumë notit. Ai ishte njeri i drejtë, i papërtuar.