Presidenti i sapozgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Notit, edhe një ditë pas votimeve të komunitetit, ka deklaruar se jo vetëm do të jetë i të gjithëve, por dhe do të kërkojë më shumë rritje cilësore të këtij sporti në të gjitha drejtimet. Agim Çiraku, një notar që e njeh mirë vijën e finishit, jo vetëm si një notar i vjetër dhe profesionist, por mbi të gjitha si një i ditur që e di se si mund të merren zgjedhjet dhe presidenca e një federate. Ka fituar me një rezultat të thellë ndaj rivalit të tij, 19-2, pasi ka bërë dhe një herë tjetër fushatë me pjesën më të madhe të komunitetit shqiptar, si dhe i ka bindur të gjithë se duhet të jetë ai presidenti i notit shqiptar. Sigurisht që ka pasur dhe eksperiencën e zgjedhjeve të kaluara, të cilat i kontestoi, duke i çuar deri në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, pas së cilës mori dhe të drejtën e ripërsëritjes së tyre.
Sipas Çirakut, noti shqiptar së pari ka nevojë për kualifikime të trajnerëve e së dyti për gjyqtarë më të aftë. Sa për aktivitetet ndërkombëtare, i pari i presidencës shqiptare të notit është i mendimit se nuk duhen çuar vetëm notar shqiptar që jetojnë jashtë vendit. Por dhe këto këtu, kuptohet të shoqëruar nga trajnerët e tyre, sepse vlen dhe ana psikologjike për të konkurruar në arenën ndërkombëtare. Ja dhe intervista e tij për Gazeta e Sportit
– Së pari urime për presidencën dhe zgjedhjen tuaj në krye të Federatës. Në fakt një luftë e gjatë dhe vështirë…
– Shumë e gjatë dhe e vështirë, sepse kërkohej drejtësi dhe për t’i vënë gjërat në rregull siç dhe kërkohet në mbarëvajtjen e një komuniteti siç ai i notit.
– A kishte nevojë për të bërë fushatë, në kushtet kur jeni pjesë dhe e zgjedhjeve të para, paçka se humbët në balotazh?
– Sigurisht që gjithmonë ka nevojë për fushatë. Unë kisha dhe eksperiencën e zgjedhjeve të para, aq më shumë që unë e njihja një pjesë të komunitetit të notit, trajnerëve, edhe duke qenë se kohë më parë kam bërë dhe not. Presidenti i mëparshëm u tërhoq edhe për arsye të biznesit të tij, apo dhe problemeve të tjera. Por që të jesh në krye të notit duhet të jesh një notar i mirë dhe të dish ta marrë finishin, gjë që duket se pati as ai që iku e as kundërshtari im.
– E mendonit kaq të lehtë fitoren, në kushtet kur përballë jush ishte një tjetër biznesmen?
– Normalisht po, pasi e dija që do të merrja 2/3 e votave të komunitetit. Dhe ata ma shpërblyen, ndaj dhe unë, në përfundim të asaj asambleje zgjedhore që ishte model për nga zhvillimi, të paktën dhe sipas vlerësimeve që erdhën nga disa pjesëtar të Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kam thënë që do të jem i të gjithëve. I trajnerëve, gjyqtarëve, notarëve, por dhe prindërve.
– Dhe meqë jemi në këtë pikë, në këtë pjesë të mandatit tuaj trevjeçar, çfarë do t’i ndryshoni notit?
– Së pari noti shqiptar ka nevojë për një kualifikim të gjithanshëm të trajnerëve, teksa asnjëri prej tyre nuk është i licencuar. Jo vetëm kaq, por në nivel, edhe pse punojnë me të gjitha grupmoshat, kanë mbetur prapa. Së dyti, kemi nevojë për gjyqtarë të rinj, pasi dhe ato që vijnë janë nga atletika.
Është e vërtetë që janë me kronometra dore, por këtu mund të vij kushdo nga rruga, të marrë kronometrin dhe të bëjë gjyqtarin. Këtë ne duhet ta ndalojmë, pasi noti duhet të ketë gjyqtarët e vet, aq më shumë që edhe përdorimi i kronometrave ka specifikën e vet. Së treti, Federata Shqiptare e Notit duhet të bëhet me një faqe të sajën në internet, atje ku çdokush të shohë rezultatet e një aktiviteti, apo dhe rekordet kombëtare. E thënë ndryshe të jetë si një bazë për notin shqiptar.
– Nëse do t’i referohemi rezultateve ndërkombëtare, në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, ato lanë shumë për të dëshiruar. A duhet të ketë një analizë të thellë?
– Ne duhet ta heqim nga mendja se gjithnjë duhet të shkojë një notar shqiptar, i cili bën stërvitje dhe ka rezultate jashtë vendit. Ka nevojë të shkojë dhe ai notari që stërvitet përditë në këto pishina të vendit tonë. Por që të ketë rezultatet duhet të ketë dhe trajnerin e tij me vete, atë me të cilin stërvitet përditë. Sepse ka të bëjë shumë dhe ana psikologjike kur je jashtë. Por kuptohet që ka nevojë dhe për analiza.
– Një të fundit, e kishit menduar këtë fitore të thellë në zgjedhje?
– Nuk dua të bëj modestin, por e mendoja. E dija që do të merrja dhe 2/3 e votave, por ndoshta jo nëntëmbëdhjetë vota, por shtatëmbëdhjetë, apo pesëmbëdhjetë. Ç’rëndësi ka, e rëndësishme është se komuniteti më votoi dhe unë duhet të përmbush atë votëbesim që ky komunitet më dha mua.
Gjergj Vyshka